Mbeturinat në Tepe – Situata del jashtë kontrollit, ambienti kthehet në venddepozitim të mbetjeve
“Lutemi mos hidhni mbeturina!”, shkruhet në këtë tabelë në lagjen “Tepe”, e vendosur nga Bashkia Shkodër, e cila paralajmëron qytetarët të mos krijojnë ndotje të ambjentit.
Por, sikurse shikohet në pamjet e regjistruara këtë të enjte, situata duket se ka dalë jashtë kontrollit.
Pak kohë më pare, Bashkia e Shkodrës ndërhyri duke bërë të mundur pastrimin e territorit në lagjen “Tepe”, që ishte i ndotur masivisht nga mbeturina të shumta.
Mbetje të shumta urbane, por edhe të tjera ishin të grumbulluara aty prej kohësh, duke krijuar shqetësim për komunitetin.
Megjithatë, sërish banorët kanë nisur t’i hedhin mbeturinat në tokë , duke krijuar një situatë aspak të këndshme për syrin e çdokujt, por nga ana tjetër duke rrezikuar shëndetin e popullatës nga ndonjë epidemi e mundshme.
Zgjidhja efikase e këtij problemi kërkon edhe sensibilizimin e komunitetit përreth për dëmet mjedisore që i shkaktohen kësaj zone mjaft të banuar, gjë e cila duket se mungon prej vitesh.
Por, jo vetëm banorët, pasi edhe bizneset dhe mjete të ndryshme hedhin në këtë zonë mbetje të shumta.
Lagjja “Tepe”, prej kohësh vijon të mbetet një zonë problematike sa i përket mbetjeve.
Pastrimi i tyre mbetet një sfidë më vete dhe banorët janë të detyruar të bashkëjetojnë mes mbeturinava dhe aromës së keqe që ato lëshojnë.
Comments
Post a Comment