Ndahen çmimet e festivalit “Gegnisht” – Risia e këtij viti: Çmimi “Sami Repishti”
Në një oborr tipik shkodran, në banesën e familjes Repishti, mbrëmjen e së shtunës u zhvillua ceremonia përmbyllëse e edicionit të katërt të Festivalit të Krijimtarisë Letrare “GEGNISHT”. Dhjetëra pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi konkurruan me krijimet e tyre, për çmime që mbajnë emrat e disa prej figurave më të shquara të letërsisë gege.
Juria vlerësoi me çmimin “Arshi Pipa” për esenë më të mirë pedagogun e letërsisë në Universitetin e Shkodrës, Gëzim Puka.
Çmimi “Gjon Shllaku” për përkthimin më të mirë iu dha përkthyesit nga Kosova, Agim Morina.
Në prozë, çmimi “Ernest Koliqi” shkoi për shkrimtarin shkodran Artur Baku.
Poetja nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullahu, u vlerësua me çmimin “Ndre Mjeda” për poezinë më të mirë.
Risia e këtij edicioni ishte çmimi “Sami Repishti”, në nder të një tjetër emri të shquar të letrave shqipe në gegnisht.
Ky çmim iu dha studiueses Diana Kastrati, për kontributin e saj në fushën e kërkimeve letrare.
Sipas organizatores së festivalit, Denata Rroji, edicioni i këtij viti shënoi një rritje të dukshme si në cilësinë e krijimeve ashtu edhe në shtrirjen gjeografike të pjesëmarrësve.
Festivali “GEGNISHT” konsiderohet një nisëm e rëndësishme për promovimin dhe ruajtjen e gjuhës dhe letërsisë gege, duke nxitur krijimtarinë në këtë dialekt të pasur dhe me vlera të veçanta kulturore.
Comments
Post a Comment