(VIDEO) Turizëm brigjeve të liqenit të Shkodrës - Plan nga Malësia e Madhe deri në Shkodër
Në Shkodër po përgatitet plani konkret që synon zhvillimin e turizmit përgjatë gjithë vijës së liqenit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe deri në qytetin e Shkodrës.
Ky projekt po zbatohet në kuadër të programit Porta e Alpeve, i financuar nga Banka Europiane e Investimeve në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, u shpreh se pritshmëritë janë që të krijohet produkti më i mirë turistik në të gjithë Ballkanin.
Në këtë fazë përgatitore, është rënë dakord që të mbështeten Bashkia Shkodër dhe Bashkia Malësi e Madhe për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e një rruge biçikletash përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna deri në Detin Adriatik.
Gjatë kësaj punëtorie me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, do të diskutohet mbi studimin e fizibilitetit, ku do të vendoset bashkërisht gjurma përfundimtare e rrugës, karakteristikat teknike si dhe ndërhyrjet e propozuara si ndalesa të vogla, pika informacioni turistik, etj., përgjatë itinerarit.
Comments
Post a Comment