Shkodra çel Ditët e Qëndresës Antikomuniste / Ish- të përndjekurit: Shoqëria shqiptare s’është ballafaquar me të kaluarën
Veprimtaritë për Ditët e Qëndresës Antikomuniste të popullit shqiptar nisën sot nga Shkodra. Në këtë qytet, simbol i rezistencës ndaj regjimit komunist, u zhvillua një ceremoni përkujtimore pranë memorialit të viktimave dhe të dënuarve politikë.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e ish-të përndjekurve politikë në Shkodër, me mbështetjen e Bashkisë.
Në fjalët e tyre, përfaqësuesit e shoqatës theksuan se, edhe pas më shumë se 30 vitesh nga rënia e sistemit monist, shoqëria shqiptare ende nuk është përballur seriozisht me të kaluarën komuniste.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Shkodër, Luciano Boçi, përsëriti ndjesën publike në emër të partisë për mungesën e vëmendjes ndaj kësaj shtrese ndër vite.
Ai akuzoi mazhorancën aktuale për harresë dhe qëndrim të qëllimshëm ndaj kësaj periudhe të errët të historisë shqiptare.
Veprimtaritë përkujtimore do të vijojnë edhe në dy ditët në vijim me ceremonitë që nderojnë revoltat e të burgosurve në Spaç dhe Qafë Bar, dy nga simbolet më të fuqishme të qëndresës antikomuniste në Shqipëri
Comments
Post a Comment